| LEXUES | | Membre | | 13 messages postés |
| Posté le 18-06-2006 à 17:58:20
| Wittgenstein është një nga filozofët më të mëdhenj të filozofisë analitike, ose nëse mund të themi kështu, anglo-saksone. Do tê mundohem të sjell ndonjë gjë më të shkoqitur mbi të, pasiqë nuk jam fort në dijeni të kësaj filozofie. Ka dy gjëra që mund t'i përmend në lidhje me të : ka qenë në një klasë me Hitlerin (në shkollën fillore, ku dhe ka një foto të klasës) si dhe ai paska patur një "kasolle" të ndërtuar në Norvegji ku tërhiqej i vetmuar për të punuar. Kjo më sjell ndërmend "kasollen" e Heideggerit në Todtnauberg ku Heidegger punonte dhe madje ka jetuar pjesën e fundit të jetës. Ndonjë student apo studiues i matematikës mund të sjellë diçka më tepër në lidhje me filozofinë analitike në përgjithësi e Wittgensteinin në veçanti. Burimet e mendimit të tij. Wittgenstein ka qenë nxënës i Bertrand Russell nga i cili ka marrë idenë e atomizmit logjik. Gjithashtu, ai ka qenë ndikuar dhe nga matematikani, logjicieni dhe filozofi Frege (1848-1925). Ka lexuar dhe Schopenhauerin, Tolstoin et Evangjilet. Jeta e Wittgenstein Ludwig Wittgenstein ka lindur më 1889 në Vjenë, fëmija i tetë dhe i fundit në një familje me origjinë çifute të konvertuar në katolicizëm dhe miliardere. Babai i tij, Karl, kishte bërë pasuri në siderurgji. Ludwig është rritur në një shtëpi të njohur në Vjenë me emrin ‘‘Pallati Wittgenstein’’, ku arti zë një vend të rëndësishëm, në veçanti muzika. Fillon studime në inxhinieri aeronautike në Berlin dhe më 1909 niset për Manchester (Angli) për të kryer kërkime në aeronautikë. Wittgenstein është i tërhequr nga fuqia e matematikës por dhe vëren caqet e saj, kështu që i lë kërkimet e tij dhe orientohet drejt studimit të themelit të matematikës. Nën këshillat e Frege, që ai e takon në Jena, ai regjistrohet në Trinity College të Cambridge në kurset e Russell. Lidh miqësi me të i cili e këshillon të heqë dorë përfundimisht nga aeronautika. Miqësohet dhe me filozofin G. E. Moore dhe ekonomistin Keynes. Pas pesë semestrash në Cambridge, niset në Norvegji ku ndërton një kasolle në të cilën jeton i vetmuar. Gjatë luftës së parë botërore, ai rreshtohet në ushtrinë austriake dhe në front harton veprën e vetme që u botua në të gjallë të tij, Tractatus logico-philosophicus , shfaqur më 1921 pasi u është dërguar Freges dhe Russellit. Vëllai i tij Paul, pianist i talentuar, humbet krahun e tij të djathtë gjatë luftës së parë botërore. Ravel kompozon për të Concerto për dorën e majtë. Rob lufte në Itali në nëntor 1918, ai kthehet në Vjenë në gusht 1919. Heq dorë nga trashëgimia e babait duke ua lënë vëllezërve dhe motrave të tij. Tractatus logico-philosophicus pretendon që filozofia, në përpjekjet e saj për të treguar grackat e gjuhës, është e dënuar të heshtë. Deri më 1929, Wittgenstein e përshtat jetën e tij ndaj këti konkluzioni dhe heq dorë nga filozofia. Bëhet mësues fshati (1919-1926) pastaj arkitekt dhe projektues i shtëpisë së motrës së tij në Vjenë). Njihet atëherë me Moritz Schlick, themeluesi i ardhshëm i Rrethit të Vjenës. Me të dhe me Carnap, Waismann dhe Feigl ai fillon tu rikthehet diskutimeve filozofike. Më 1929, ai kthehet në Trinity College të Cambridge ku dhe merr gradën doktor, me tezë Tractatus -in e tij. Jep mësim aty si fellow deri më 1939 me një shkëputje prej një viti (1936) ku shkon në kasollen e tij të vetmuar në Norvegji. Kurset e Wittgenstein janë unike në llojin e vet. Ai nuk bën ekspozime magjistrale por reflekton fare lart, shpesh duke ngjallur diskutime me studentët e tij të cilët mblidhen në apartamentin e tij në Trinity College. Studentët sjellin me vete karriket e tyre ose ulen në dysheme. Pas kursit të tij, ai shkon në kinema të shohë një Western për tu shlodhur. Nisur nga leksionet e Cambridge, hapet zhurma që ai po harton një filozofi tejet të ndryshme nga ajo e Tractatus. Studentët e 1933-1934 që i kanë këto shënime të kurseve të tij, fillojnë t’i qarkullojnë ato nën emrin Fletore blu . Një dorëshkrim tjetër përpilohet vitin pasardhës nën emrin Fletore brune . Më 1939, ai pason Moore si titullar i katedrës së filozofisë në Cambridge por lufta shpërthen. I natyralizuar britanik më 1938, ai mobilizohet në shërbimet shëndetësore në Londër. Pas luftës, Wittgenstein kthehet të japë mësim në Cambridge deri më 1947, vit në të cilin ai heq dorë për t’iu kushtuar kërkimeve të tij. Orientimet e tij filozofike kanë ndryshuar në atë pikë që tani flitet për ‘‘filozofi të dytë të Wittgenstein’’. Nga 1936 deri 1949, ai harton Hulumtime filozofike . Tërhiqet në Irlandë për të shkruar, udhëton në SHBA (1949). I kapur nga një kancer i pashërueshëm, ai vendoset më 1951 tek mjeku i tij në Cambridge dhe vdes të nesërmen e 62 vjetorit të tij. Fjalët e tij të fundit qenë ‘‘U thoni atyre që kjo jetë ka qenë e mrekullueshme për mua’’. Prurja konceptuale . 1) Filozofia e Tractatus . Tractatus logico-philosophicus është një vepër mjaft e shkurtër por turbulluese sepse ajo paraqitet në formën e një sërë aforizmash. Bëhet fjalë për t’iu përgjigjur pyetjes ‘‘Çfarë mund të shprehim ?’’ Wittgenstein tregon aty që përdorimi i vetëm korrekt i gjuhës është për të shprehur faktet e botës, që rregullat a priori të kësaj gjuhe përbëjnë logjikën, që kuptimi etik dhe estetik i botës futet tek e pathënshmja dhe se filozofia, ngaqë ajo kërkon të tregojë grackat e gjuhës, është e dënuar për të heshtur. Vepra është e ndarë në shtatë pjesë, nga ku rrjedhin shtatë aforizma kryesore, të numërtuara nga 1 deri në 7 : 1• "Bota është gjithçka që ndodh." 2• "Ajo çka ndodh, fakti, është ekzistenca e gjendjeve të gjërave." 3• "Tabloja logjike e fakteve përbën mendimin." 4• "Mendimi është parashtrimi që ka një kuptim." 5• "Parashtrimi është një funksion të vërtete të parashtrimeve elementare." 6• Aforizmi i gjashtë tregon formën e përgjithshme të një funksioni të vërtete. 7• "Ajo për të cilën nuk mund të flasim, duhet ta heshtim." Shihet që dy aforizmat e para shtrojnë gjendjen e botës, që katër të tjerat mendojnë imazhin e botës i cili nuk është tjetër përveçse mendimi logjik dhe që aforizmi i fundit (që mbyll veprën) sillet mbi caqet e diskutimit logjik.
Message édité le 18-06-2006 à 18:05:14 par LEXUES |
|