MENDIME DHE OPINIONE
 
 MENDIME DHE OPINIONE  FILOZOFI  TEMA FILOZOFIKE 

 Dashuria

Nouveau sujet   Répondre
 
Bas de pagePages : 1  
LEXUES
Membre
13 messages postés
   Posté le 18-06-2006 à 13:00:11   Voir le profil de LEXUES (Offline)   Répondre à ce message   Envoyer un message privé à LEXUES   

Dashuria , por e parë nga këndvështrimi filozofik. Dhe kuptohet, fillimi u takon filozofëve të lashtë grekë. Kjo pjesë këtu më poshtë, është marrë nga vepra "Banketi" ose "Gostia" e filozofit të madh Platoni (427 - 348/347 p.e.s).

Demoni "Dashuri" siç del dhe nga teksti është NDERMJET. As i ditur as i paditur, as i pasur as i varfer, as i kenaqur as i pakenaqur, shkurt Dashuria eshte, sipas tekstit, nje gjendje e ndermjetme ku nuk dihet çfare kemi e nuk kemi.



DIOTIMA : Kur lindi Afërdita, zotat shtruan një gosti, të gjithë zotat, përfshirë dhe Poros, djalin e Metis. Me të mbaruar darka, Penia, duke dashur të përfitojë diçka nga ushqimi, u paraqit për të lypur dhe ndenji pranë derës. Mirëpo Poros, i dehur me nektar, sepse nuk kishte ende verë, doli në kopshtin e Zeusit dhe, me kokën të rënduar nga dehja, e zuri gjumi. Atëherë Penia, e shtyrë nga skamja, pati idenë të përfitojë nga ky rast, për të patur një fëmijë nga Poros : ajo u shtri pranë tij, dhe ngeli shtatzanë. Kështu Dashuria u bë shoqe dhe shërbëtore e Afërditës, sepse ajo qe ngjizur në ditën e lindjes së Afërditës, dhe sepse ajo është natyrshëm e dashuruar pas së bukurës, dhe sepse Afërdita është e bukur.

Duke qenë bijë e Poros dhe e Penia, Dashuria ka marrë disa gjëra nga të dy. Së pari, ajo është gjithmonë e varfër, dhe larg së qenuri delikate dhe e bukur siç e përfytyrojmë rëndom, ajo është e ashpër, e rreptë, pa këpucë, pa shtëpi ; ajo nuk ka shtrat tjetër përveçse tokën, pa mbulojë, fle përjashtë, pranë dyerve dhe nëpër rrugë ; nga e ëma ajo ka marrë shumë, dhe skamja është shoqja e saj e përjetshme. Nga ana tjetër, duke i ngjarë të atit, ajo është gjithmonë në gjurmë të asaj çka është e bukur dhe e mirë ; ajo është guximtare, e vendosur, e zjarrtë, gjuetare e përsosur, sajuese dredhish gjithmonë të reja, amatore e shkencës, plot burime, që e kalon jetën e saj duke filozofuar, magjistare e shkathët dhe sofiste. Nga natyra e saj, ajo nuk është as e pavdekshme as e vdekshme ; në të njëjtën ditë, ajo është lulëzuese dhe plot jetë, sa kohë që ajo është në bollëk, e pastaj ajo vdes, e pastaj rilind, falë asaj që ka marrë nga i ati.

Ajo nuk e mban dot atë që e ka shtënë tashmë në dorë, në atë mënyrë që ajo nuk është kurrë në skamje, as në bollëk dhe se ajo mbahet në mes të diturisë dhe paditurisë, dhe ja përse. Asnjë prej zotave nuk filozofon dhe nuk dëshiron të bëhet dijetar, sepse ai është i tillë ; dhe, në përgjithësi, nëse jemi dijetarë, nuk filozofojmë ; por as të paditurit nuk filozofojnë dhe nuk dëshirojnë të bëhen dijetarë ; sepse padituria ka pikërisht këtë gjë të keqe që ajo i bind të gjithë ata që nuk janë as të bukur, as të mirë, as të ditur, që ato i gëzojnë këto cilësi. Mirëpo, kur besojmë që nuk na mungon diçka, atëherë nuk e dëshirojmë atë.

SOKRATI : Cilët janë pra, Diotima, ata që filozofojnë, nëse këto nuk janë as dijetarët as të paditurit ?

DIOTIMA : Edhe një fëmijë, tha ajo, do ta kuptonte menjëherë që ata që filozofojnë janë ata që janë ndërmjet të dyjave, dhe Dashuria bën pjesë këtu. Në fakt, dituria futet midis gjërave më të bukura ; mirëpo Dashuria është dashuria e gjërave të bukura ; është pra e nevojshme që Dashuria të jetë filozofe, që ajo të mbahet midis dijetarit dhe të paditurit ; dhe shkaku i kësaj është origjina e saj, sepse ajo është bijë e një babai dijetar dhe plot burime, dhe e një nëne pa dije dhe pa burime. Ja, i shtrenjti im Sokrat, kush është natyra e demonit. Në lidhje me mënyrën si e përfytyron ti Dashurinë, rasti yt nuk ka asgjë për tu habitur ; ti e përfytyroje atë, nëse mund ta nxjerr këtë nga fjalët e tua, që Dashuria është objekti i dashuruar dhe jo subjekti dashurues : ja përse, mendoj unë, ti e përfytyroje atë kaq të bukur ; dhe, në fakt, ajo çka është e dashurueshme është ajo çka është me të vërtetë e bukur, delikate, e përsosur dhe e lumtur ; por ai që dashuron ka një karakter krejt tjetër, siç dhe sapo e shpjegova.

Platoni, Banketi , f. 203-204

Përkthyer nga frëngjishtja
UN

Message édité le 18-06-2006 à 13:01:22 par LEXUES
Haut de pagePages : 1  
 
 MENDIME DHE OPINIONE  FILOZOFI  TEMA FILOZOFIKE  DashuriaNouveau sujet   Répondre
 
Identification rapide :         
 
Divers
Imprimer ce sujet
Aller à :   
 
créer forum