Sujet : SYLVIA PLATH (1932-1963) | | Posté le 24-06-2006 à 00:58:22
| ‘‘Të kanë dënuar për çmendurinë tënde. Kështu. Sepse frika është tashmë aty, dhe kjo nuk është gjë e re. (…) Një frikë perverse, që shfaqet tepër. Atëherë : mjeku. Do të shkoj tek psikiatri këtë javë, thjesht për ta njohur, për tu siguruar që ai është aty. Dhe gjë ironike, e kuptoj që kam nevojë për të. Kam nevojë për një baba. Kam nevojë për një nënë. Kam nevojë për një qenie më të moshuar, më të mençur, pranë të cilit të qaj. I flas Zotit, por qielli është bosh (…) Kam përshtypjen të jem Lazari : kjo histori ushtron mbi mua një tërheqje të fortë. E vdekur, jam ringjallur, dhe nuk nguroj të vrapoj pas ndjenjave të thella të shkaktuara nga natyra ime vetvrasëse, nga fakti që i kam kaluar rrëshqanthi vdekjes, që kam dalur nga varri me gjithë këto dregëza dhe me këtë tharje mbi fytyrën time që (mos është vallë imagjinata ime ?) që përhapet gjithnjë e më shumë : si një njollë ndjellakeqe, ajo merr mbi fytyrën time të skuqur nga era një çehre më të zbehtë, ndërsa kthehet e kaftë në fotografi, e vënë në pah në një mënyrë kobzezë nga zbehtësia ime dimërore prej të vdekure. (…) Tani e tutje, do të flas për çdo natë. Me veten time. Me hënën. Do të ec, siç kam bërë sonte, duke e ruajtur me xhelozi vetminë time, në blunë e argjendtë të hënës së akullt, që pasqyrohet mbi vorbullat e borës së freskët duke dërguar miliarda xixa. Flas me vete duke kundruar drurët e errët, me një prehje shpirtërore të lumtur. Sa e thjeshtë është kjo sesa të përballesh me njerëzit, sesa detyra për tu dukur e lumtur, e pacënueshme, e zgjuar. Ma merr mendja që nëse do ta lija veten pas dore, do të mund të kthehesha alkoolike. Ajo çka ia kam frikën më shumë, besoj që është vdekja e imagjinatës. Kur qielli, përjashta, mjaftohet të jetë rozë, dhe çatitë e shtëpive të zeza : kjo mendje fotografike e cila, paradoksalisht, thotë të vërtetën, por të vërtetën e shëndoshë, mbi botën.’’ Shënime të Cambridge (shkurt 1956) në Fletore intime . |
|
|
|