Sujet :

Friedrich NIETZSCHE (1844-1900)

LEXUES
   Posté le 18-06-2006 à 13:50:52   

Nietzsche është njëri ndër filozofët më të mëdhenj gjermanë të shekullit XIX-të. Objekt i sa e sa komentimeve, keqkuptimeve, shtrembërimeve, Nietzsche vazhdon të mplekset në të gjitha debatet e mëdha të kohës sonë.

Duke mos u ndalur në biografinë e tij, Nietzsche do të sillet këtu nëpërmjet shkrimesh të shkurtra ku mund të nxirret gjithmonë një ide. Megjithatë, ideja e nxjerrur nga një shkrim nuk duhet marrë si njëherë e përgjithmonë, por thjesht si një gur në mozaikun Nietzsche. E rëndësishme : Nietzsche mund të jetë filozofi që ka "prodhuar" më shumë "hajmali" se çdokush tjetër. Për mendimin tim, duhet shmangur mania e formulës. Nuk ka kuptim të recitosh përmendsh nje thënie të Nietzsches në një bisede tavoline. Por thjesht, duke u nisur nga një ide e tij (që diku tjetër mund të jetë e kundërt me një ide tjetër po të tijën), të fillohet për tu menduar dhe reflektuar duke thirrur në ndihmë gjithçka që dimë në lidhje me këtë, nga përvoja jonë dhe e të tjerëve.

Këtu më poshtë, një tekst i shkurtër në lidhje me harresën : duhet harruar apo jo ? Cili është vendi i historisë në jetën e një njeriu ? Nga sa del më poshtë, Nietzsche mendon që njeriu duhet t'i shkëputet historisë, qoftë dhe për pak çaste. Ai duhet t'i kthehet çastit të pranishëm. Harresa, sipas Nietzsches, nuk është një mangësi e kujtesës por një dëshirë e njeriut për të harruar. Në fakt, kjo ide është sqaruar më së miri nga Heidegger në një konferencë të tijën "Kush është Zarathustra i Nietzsches ?", ku analizohet qëndrimi i Nietzsches ndaj hakmarrjes. Kjo konferencë mund të sillet e plotë në një temë të posaçme kushtuar Heideggerit.



Por në lumturinë më të vogël siç dhe në atë më të madhe, ka gjithmonë diçka e cila bën që lumturia është një lumturi : mundësia për të harruar ose për ta thënë me fjalë më të ditura, aftësia për tu ndjerë për një kohë jashtë historisë. Njeriu që është i paaftë për tu ulur në pragun e çastit duke harruar të gjitha ngjarjet e shkuara, ai që nuk mundet, pa marramendje dhe pa frikë, të ngrihet një çast drejt në këmbë, si një fitore, nuk do të dijë kurrë ç’është një lumturi, dhe, çka është më e keqja, ai nuk do të bëjë kurrë asgjë për tu dhënë lumturi të tjerëve ; imagjinoni shembullin e skajshëm : një njeri që do të ishte i paaftë të harronte diçka çfarëdo dhe që do të ishte i dënuar të shihte ngado vetëm një ardhmëri, ky njeri pra nuk do të besonte në qenien e tij të vet, nuk do të besonte tek vetja e vet, ai do ta shihte veten të tretej në një pafundësi pikash lëvizëse dhe do të përfundonte së humburi në këtë furtunë të ardhmërisë. Përfundimisht, si dishepull i vërtetë i Heraklitit, ai nuk do të guxonte madje të lëvizte qoftë dhe një gisht. Çdo veprim kërkon harresën, ashtu siç jeta e qenieve organike kërkon jo vetëm dritën, por dhe errësirën. Një njeri që nuk do të donte të shihte asgjë përveçse historikisht do të ishte i ngjashëm me atë që do ta detyronim të hiqte dorë nga gjumi ose me kafshën që do të duhej të jetonte vetëm duke u përtypur dhe ripërtypur pa fund. Pra, është e mundur të jetosh pothuaj pa kujtime dhe të jetosh i lumtur, siç e tregon këtë kafsha, por është e pamundur të jetosh pa harruar.
Nietzsche

Message édité le 18-06-2006 à 13:52:37 par LEXUES