Sujet : EKZISTENCIALIZMI | | Posté le 17-06-2006 à 14:59:04
| Në këtë temë, të titulluar EKZISTENCIALIZMI, do të ndalemi më hollësisht në ekzistencializmin sartrian, dhe kjo do të bëhet duke sjellur të plotë konferencën e tij të 1945-ës, "Ekzistencializmi është një humanizëm". Nuk e kam idenë nëse ky përkthim ekziston në shqip, në formë libri ose tjetër, por përkthimi që unë propozoj këtu nuk i detyrohet në asgjë ndonjë përkthimi të mundshëm të mëparshëm. E theksoj këtë për arsye deontologjie të profesionit të përkthyesit. Teksti do të jetë i plotë, por i postuar në disa herë. Duke qenë se në Shqipëri njihet më shumë emri i Sartre sesa vepra e tij, kam menduar të mos ndalem në biografinë e tij. Kjo mund të bëhet një herë tjetër në forumin e filozofisë franceze. Kuptohet që kushdo mund të shprehë ndonjë gjë në lidhje me temat që lëvrijnë në këtë tekst. Falemnderit.
Jean-Paul SARTRE Ekzistencializmi është një humanizëm (1945) Përkthyer nga frëngjishtja UN Do të doja këtu ta mbroj ekzistencializmin përkundër njëfarë numri qortimesh që i janë drejtuar atij. Fillimisht, atij i është qortuar të ftuarit e njerëzve për të ndenjur në një qetësi të dëshpërimit, sepse, duke qenë se të gjitha zgjidhjet janë të mbyllura, do të duhej konsideruar që veprimi në këtë botë është krejtësisht i pamundur, dhe pastaj të përfunduarit në një filozofi kundruese, çka kjo veç të tjerash, ngaqë kundrimi është një luks, na shpie në një filozofi borgjeze. Këto janë në veçanti qortimet e komunistëve. Na është qortuar gjithashtu të theksuarit e poshtërsisë njerëzore, të treguarit ngado të së ndyrës, të shtrembërës, së papastrës, dhe të shpërfillurit e njëfarë numri bukurish të qeshura, të anës së shndritshme të natyrës njerëzore ; për shembull, sipas Zonjushes Mercier, kritike katolike, ne kemi harruar buzëqeshjen e fëmijës. Si të parët dhe të dytët na qortojnë të kaluarit menjanë solidaritetit njerëzor, të konsideruarit që njeriu është i veçuar, madje kryesisht ngaqë ne nisemi, thonë komunistët, nga subjektiviteti i pastër, dmth nga unë mendoj karteziane, dmth nga çasti ku njeriu preket në vetminë e tij, çka kjo do të na kthente të paaftë më tej për tu rikthyer tek solidariteti me njerëzit që janë jashtë meje dhe që nuk mund t’i arrij në cogito -n. Dhe nga krahu i krishterë, na qortohet të mohuarit e realitetit dhe të seriozitetit të sipërmarrjeve njerëzore, pasiqë nëse i fshijmë urdhërimet e Zotit dhe vlerat e nënshkruara në përjetësinë, nuk mbetet më gjë tjetër përveçse arbitrariteti i pastër, secili duke mundur të bëjë ç’të dojë, dhe duke qenë i paaftë nga këndvështrimi i tij për të dënuar këndvështrimet dhe veprimet e të tjerëve. Është ndaj këtyre qortimeve kjo që unë kërkoj të përgjigjem sot ; ja përse këtë ekspoze të shkurtër e kam titulluar : Ekzistencializmi është një humanizëm. Shumë vetë do të mund të habiten që këtu të flasim për humanizëm. Ne do të përpiqemi të shohim në ç’kuptim e marrim atë. Sidoqoftë, ajo çka ne mund të themi qysh në fillim është që me ekzistencializëm ne kuptojmë një doktrinë e cila e kthen të mundshme jetën njerëzore dhe që, veç kësaj, deklaron që çdo e vërtetë dhe çdo veprim mpleksin një mjedis dhe një subjektivitet njerëzor. Qortimi thelbësor që na bëhet, e dimë këtë, është të vënurit e theksit mbi anën e keqe të jetës njerëzore. Një zonjë për të cilën më kanë folur tani vonë, kur lëshon një fjalë të pistë, ngaqë e nxehur, ajo deklaron duke u shfajësuar : ‘‘Më duket se po kthehem ekzistencialiste.’’ Për rrjedhojë, ekzistencializmi barazohet me shëmtinë ; ja përse deklarohet që ne jemi natyralistë ; dhe nëse ne jemi të tillë, mund të habitemi që ne të ngjallim frikë, që ne të skandalizojmë shumë më tepër sesa nuk e bën këtë sot vetë natyralizmi i mirëfilltë. Kushdo që lexon më së miri një roman të Zola, siç Toka, është i tmerruar sapo që ai lexon një roman ekzistencialist ; kushdo që përdor mençurinë e kombeve &ndash që është fort e trishtë &ndash na quan neve edhe më të trishtë. Megjithatë, çfarë ka më dëshpëruese sesa të thuash ‘‘ndihmo veten të ndihmosh të tjerët’’, ose dhe ‘‘bëj mirë e gjej keq, shtypi kokën të thërret baba’’ ? Njihen opinionet e përgjithshme që mund t’i përdorim në lidhje me këtë çështje dhe që tregojnë gjithmonë të njëjtën gjë : nuk duhet luftuar kundër pushteteve të paravendosura, nuk duhet luftuar kundër forcës, nuk duhet synuar përsipër kushtit tënd, çdo veprim që nuk futet në një traditë është një romantizëm, çdo orvatje që nuk mbështetet mbi një përvojë të njohur është e destinuar të dështojë ; dhe përvoja tregon që njerëzit shkojnë gjithmonë drejt poshtë, që duhen trupa të fortë për t’i mbajtur, përndryshe është anarki. E megjithatë, janë po këta njerëz që i përsërisin këto proverba të trishta, që sa herë që u tregojmë atyre një veprim pak a shumë të ndyrë, ato të thonë që kjo është aq njerëzore, njerëz që ushqehen me këngë realiste, pra janë këta njerëz ata të cilët e qortojnë ekzistencializmin të jetë tepër i zymtë, dhe në atë pikë që pyes veten nëse ata nuk i qortojnë atij pesimizmin por më tepër optimizmin ! Mos vallë në thelb, ajo çka ngjall frikë, në doktrinën që do të përpiqem t’ju paraqes, nuk është fakti që ajo i lë një mundësi zgjedhjeje njeriut ? Për ta ditur këtë, duhet që ne ta rishikojmë çështjen në një plan të ngushtë filozofik. Çfarë quajmë ekzistencializëm ?
Message édité le 17-06-2006 à 15:00:22 par LEXUES |
| | Posté le 23-06-2006 à 22:56:21
| - vazhdim - Shumica e njerëzve që e përdorin këtë fjalë do të ziheshin ngushtë për ta justifikuar atë, pasiqë, sot që kjo fjalë është kthyer në modë, deklarojmë me dëshirë që një muzikant apo një piktor është ekzistencialist. Një redaktor i rubrikës së jetës mondane në revistën Clartés (Qartësi) nënshkruan Ekzistencialisti ; dhe në thelb, kjo fjalë ka marrë sot një gjerësi dhe shtrirje të tillë që ajo nuk nënkupton më asgjë prej gjëje. Duket që, në mungesë doktrine pararoje të ngjashme me surealizmin, njerëzit e etur për skandale dhe lëvizje i drejtohen kësaj filozofie, çka veç të tjerash, kjo nuk mund tu sjellë atyre asgjë në këtë domen ; në realitet, kjo është doktrina më pak skandaloze, më e rrepta ; ajo është e destinuar vetëm për teknikët dhe filozofët. Megjithatë, ajo mund të përkufizohet lehtësisht. Ajo çka e ndërlikon gjërat, kjo është që ka dy lloje ekzistencialistësh : të parët, që janë të krishterë dhe midis të cilëve do të rreshtoj Jaspers dhe Gabriel Marcel, të besimit katolik ; dhe, nga ana tjetër, ekzistencialistët ateistë midis të cilëve duhet rreshtuar Heidegger, dhe gjithashtu ekzistencialistët francezë dhe vetë unë. E përbashkëta e tyre është thjesht fakti që ato vlerësojnë se ekzistenca paraprin thelbin, ose, nëse ndryshe, që duhet nisur nga subjektiviteti. Çfarë duhet kuptuar nga kjo ? Kur ne konsiderojmë një objekt të punuar, si për shembull një libër ose një gërshërë, ky objekt ka qenë prodhuar nga një artizan që është frymëzuar nga një koncept ; ai i është referuar konceptit të gërshërës, dhe gjithashtu një teknike paraprake që bën pjesë në konceptin, dhe që në thelb është një recetë. Kështu, gërshëra është njëkohësisht një objekt që prodhohet në njëfarë mënyre dhe që, nga ana tjetër, ka një dobi të përcaktuar, dhe nuk mund të marrim me mend një njeri që do të prodhonte një gërshërë pa e ditur për çfarë do të shërbente. Ne do të themi pra që, për gërshërën, thelbi &ndash dmth tërësia e recetave dhe e cilësive që lejojnë për ta prodhuar dhe përkufizuar atë &ndash paraprin ekzistencën ; dhe kështu prania, përballë meje, e kësaj gërshëre apo e këtij libri është e përcaktuar. Këtu kemi pra një vizion teknik të botës, në të cilën mund të themi që prodhimi paraprin ekzistencën. Kur ne mendojmë një Zot krijues, ky Zot është shpesh i thjeshtuar në një artizan më të lartë ; dhe cilado qoftë doktrina që ne konsiderojmë, qoftë ajo e Descartes apo e Leibniz, ne pranojmë gjithmonë që vullneti ndjek pak a shumë nxënien ose, të paktën, e shoqëron atë, dhe që Zoti, kur ai krijon, e di më së miri çka krijon. Kështu, koncepti i njeriut, në mendjen e Zotit, është i ngjashëm me konceptin e gërshërës në mendjen e industrialit, dhe Zoti e prodhon njeriun duke ndjekur teknika dhe një konceptim, saktësisht si artizani që prodhon një gërshërë sipas një përkufizimi dhe një teknike. Kështu, njeriu individual realizon njëfarë koncepti që është në nxënien hyjnore. Në shekullin e XVIII-të, në ateizmin e filozofëve, nocioni i Zotit është i zhdukur, por jo megjithatë ideja që thelbi paraprin ekzistencën. Këtë ide ne gjejmë pothuaj ngado : tek Diderot, tek Voltaire, dhe madje edhe tek Kant. Njeriu është zotërues i një natyre njerëzore ; kjo natyrë njerëzore, që është koncepti njerëzor, gjendet tek të gjithë njerëzit, çka kjo nënkupton që çdo njeri është një shembull i veçantë i një koncepti universal, njeriu ; tek Kant, nga ky universalitet rezulton që njeriu i pyjeve, njeriu i natyrës, siç dhe borgjezi janë të shtrënguar tek i njëjti përkufizim dhe zotërojnë të njëjtat cilësi bazë. Kështu, edhe këtu, thelbi njeri paraprin këtë ekzistencë historike që ne e takojmë në natyrë.
- vijon - Dy fjalë në lidhje me përmendjen e Heideggerit si ekzistencialist ateist. Këtu Sartre ka kryer një keqkuptim të madh mbi filozofinë heideggeriane. Çka dhe, veç të tjerash, ai e ka pranuar vetë më vonë. Por kjo është një çështje tjetër. |
|
|
|